Shënim:Kjo politikë aplikohet vetëm për testet e IELTS për UKVI, duke përfshirë IELTS Life Skills. Ju lutemi konsultohuni me dokumentin përkatës të politikës për të testuarit për testet e IELTS jo për UKVI. 

A. Anulimet

Ju mund ta anuloni regjistrimin për testin tuaj të IELTS në çdo moment përpara se të fillojë testi duke e njoftuar qendrën tuaj të testimit. Kushtet e rimbursimit varen nga momenti i anulimit dhe nëse aplikohen rrethana të jashtëzakonshme.

1. KOHA DERI NË DATËN E TESTIT

1.1. Më shumë se 14 ditë përpara testit:

Nëse e anuloni regjistrimin e testit tuaj të IELTS më shumë se 14 ditë përpara testit, do të merrni rimbursim 75% të tarifës totale të testit.

1.2. Brenda 14 ditëve, por më shumë se dy ditë përpara testit:

Nëse e anuloni regjistrimin e testit tuaj të IELTS brenda 14 ditëve, por më shumë se dy ditë përpara testit, do të merrni rimbursim 50% të tarifës totale të testit. 

1.3. Brenda dy ditëve nga testi:

Nëse e anuloni regjistrimin e testit tuaj të IELTS brenda dy ditëve nga testi, do të merrni rimbursim 25% të tarifës totale të testit.

1.4. Në ditën e testit ose pas testit:

Nëse e anuloni regjistrimin e testit tuaj të IELTS në ditën e testit ose pas testit, nuk do të jepet rimbursim.

2. PËRJASHTIMET PËR TË TESTUARIT

Ju mund të paraqisni një kërkesë justifikimi pranë qendrës suaj të testimit për rrethana të jashtëzakonshme përpara testit dhe deri në  pesë ditë pune pas datës së testit nëse nuk keni marrë pjesë në test. Qendra juaj e testimit do t’ju përgjigjet brenda shtatë ditëve të punës nga marrja e kërkesës së justifikimit tuaj me shkrim. Qendra juaj e testimit do të vlerësojë kërkesën tuaj për rrethana të jashtëzakonshme.

Të gjitha kërkesat për justifikim për rrethana të jashtëzakonshme dhe prova mbështetëse duhet të merren nga qendra juaj e testimit jo më vonë se pesë ditë pune pas datës së planifikuar të testit.

Nëse qendra juaj e testimit e miraton kërkesën tuaj, ju do të merrni rimbursim të plotë minus një tarifë administrative jo më shumë se 25%.

Nëse qendra juaj e testimit nuk e miraton kërkesën tuaj, atëherë do të aplikohen kushtet e dhëna në paragrafin 1.

Rrethanat e jashtëzakonshme ne i përkufizojmë si:

•Problemet e rënda mjekësore që ju pengojnë të merrni pjesë ose të keni performancë normale gjatë ditës së testimit; probleme të tilla kërkojnë prova mbështetëse me certifikatë mjekësore nga një mjek i kualifikuar

•Prova të rasteve të fatkeqësisë, traumës apo formave të tjera të vështirësive të mëdha

•Shërbimi ushtarak

3. PËRJASHTIMET PËR QENDRËN E TESTIMIT

Në rrethana të caktuara jashtë kontrollit të qendrës së testimit, mund të na nevojitet të anulojmë testimin tuaj. Këto rrethana përfshijnë, por nuk kufizohen me, kushtet e motit ekstrem, katastrofat e natyrës, trazirat civile dhe grevat.

Në këto rrethana, qendra juaj e testimit do t’ju njoftojë paraprakisht sa më herët që të jetë e mundur dhe do t’ju lejojë që të zgjidhni:

•Një rimbursim të plotë, ose

•Transferim në një datë të ardhshme testimi që ju përshtatet juve.

Në rastet kur qendra juaj e testimit e anulon testin për rrethana brenda kontrollit të vet, atëherë përveç një rimbursimi të plotë ose transferimi në një datë tjetër testimi, ju mund të keni të drejtën të aplikoni për të marrë kompensim për shpenzimet e shkaktuara. E drejta juaj do të vlerësohet si kërkesë e arsyeshme ose jo nga qendra e testimit dhe çdo kompensim do të jepet në varësi të kushteve të mëposhtme:

•Qendra e testimit do të vlerësojë nëse vendimi i anulimit është brenda ose jashtë kontrollit të saj.

•Çdo kompensim i dhënë do të kufizohet vetëm me shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të cilat:

•janë shkaktuar direkt si rezultat i planifikimit të pjesëmarrjes suaj në ditën e testimit,

•janë të vërtetuara me fatura pagesash,

•janë vërtetuar se tarifat e udhëtimit dhe/ose akomodimit të anuluar nuk rimbursohen nga tregtuesi,

•janë krahasuar me tarifat më të ulëta të arsyeshme për shpenzimet në fjalë (kjo do të kryhet nga qendra e testimit).

•Nëse udhëtoni më tej se qendra më e afërt e testimit me vendin tuaj të banimit, atëherë qendra e testimit nuk do ta konsiderojë kërkesën tuaj të arsyeshme.

B. Transferimet

4.1. Më shumë se 14 ditë përpara testit:

Ju mund ta ndryshoni datën tuaj të testimit në çdo moment më shumë se 14 ditë përpara testit.

Ju duhet të zgjidhni një datë testimi, aty ku disponohet, brenda tre muajve të ardhshëm nga data fillestare e testit. Nëse data juaj e preferuar e testit është më shumë se tre muaj pas datës suaj fillestare të testit, atëherë transferimi juaj do të trajtohet si anulim.

Ju mund ta transferoni të njëjtin rezervim vetëm një herë.

Qendra juaj e testimit mund të aplikojë një tarifë administrative deri në 25% të tarifës totale të testit.

4.2. Brenda 14 ditëve nga testi:

Çdo kërkesë për transferim brenda 14 ditëve nga testi do të trajtohet si anulim. Ju lutemi referojuni paragrafit A. Anulimet, në këtë dokument politike.

Shënime

i. Qendra juaj e testimit është përgjegjëse për të dhënë rimbursime dhe për të organizuar transferime.

ii. Sipas paragrafit A. 2., qendra e testimit është përgjegjëse për vendimet në lidhje me pretendimet e të testuarve për rrethana të jashtëzakonshme.

iii. Sipas paragrafit A. 3., qendra e testimit është përgjegjëse për vendimet në lidhje me kompensimet, duke përfshirë të drejtën e tyre për kompensim dhe shumat e disbursuara.

iv. Nëse ligji vendor për mbrojtjen e konsumatorit në vendin ku jeni regjistruar për të dhënë testin e IELTS parashikon të drejta për anulimin dhe transferimin që janë më të favorshme për të testuarit sesa të drejtat e përcaktuara më lart, atëherë do të aplikohet ligji vendor për mbrojtjen e konsumatorit.

Shpërndani në rrjetet sociale