Agjencia e Industrive Krijuese e Tiranës dhe Këshilli Britanik ftojnë profesionistët të marrin pjesë në këtë takim dhe në zhvillimin e rekomandimeve të strategjisë së përbashkët.
Në një kohë të ndryshimeve të shpejta ekonomike dhe teknologjike, qytetet në mbarë botën janë duke synuar të krijojnë një reputacion ndërkombëtar si hapësira tërheqëse për investitorë, turistë dhe krah pune të aftësuar. Përmirësimi i infrastrukturës, krijimi i një hapësire më tërheqëse për qytetarët dhe strategjitë që tërheqin dhe mbajnë individët më të suksesshëm janë prioritetet parësore për zhvillimin urban, në ditët e sotshme.
Megjithatë, nuk mund të mohohet se elementi më i rëndësishëm në krijimin e një qyteti më tërheqës është shpirti që ai mban – krijuesit dhe artistët që punojnë brenda këtij shpirti. Për më tepër, në botën moderne, sektori kreativ nuk shihet vetëm si një industri argëtimi, por konsiderohet të jetë një nga “motorët” kryesorë të zhvillimit dhe një kontribues i konsiderueshëm i ekonomisë. Kjo është arsyeja përse qeveritë në mbarë botën po zbatojnë politika dhe iniciativa për zhvillimin dhe rritjen e këtij sektori.
Gjatë viteve të fundit, ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve marramendëse në zonën e Tiranës, si edhe në zonat e tjera të Shqipërisë. Rritje ekonomike, infrastrukturë e re dhe një shoqëri më dinamike janë elemente të cilat janë shquar dhe janë njohur në arenën ndërkombëtare. Në mënyrë që të integrojë dhe zhvillojë sektorin krijues, në vitin 2022, Bashkia e Tiranës ka themeluar Agjencinë e Industrive Krijuese të Tiranës.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ky sektor është zhvilluar për më shumë se tre dekada dhe ndikimi dhe kontributi i tij në PBK-në (GDP) kombëtare është mbikqyrur nga afër. Megjithatë, për të ndjekur ritmin e përparimeve në vazhdim, sektori dhe organet qeveritare po rifreskojnë vazhdimisht qasjen ndaj zhvillimit të sektorit.
Ky takim dy-ditor do të ofrojë një platformë për profesionistët nga sektori për të krahasuar përvojat dhe metodat e tyre, për të shqyrtuar praktikat e mira, sukseset dhe dështimet për të vendosur terrenin për marrëdhënie dhe bashkëpunim më të ngushtë brenda fushës ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Agjencia e Industrive Krijuese e Tiranës dhe Këshilli Britanik ftojnë profesionistë (producent kreativ, sipërmarrës, mendimtarë) nga Shqipëria të cilët punojnë në fushat e filmit, muzikës, lojërave elektronike, teknologjisë, arkitekturës, dizajnit dhe modës, teatrit, arteve pamore, trashëgimisë kulturore, si dhe artistë multi-disiplinorë për të marrë pjesë në takim dhe për të kontribuar në zhvillimin e rekomandimeve të përbashkëta për hartimin e strategjisë zhvillimore.