Media Amfora ka pasur një eksperiencë të shkëlqyer me Programin “Media for All”, përmes së cilit nisi rrugëtimin drejt konsolidimit si media në internet. Të qenit pjesë e programit Western Balkans Media for Change ofron një mundësi për Amforën që të forcojë më tej kapacitetet e saj dhe të zgjerojë raportimin e saj në territorin e Shqipërisë.
Këto programe janë të rëndësishme pasi mbështesin drejtpërdrejt median dhe gazetarinë e pavarur që raporton mbi çështje me interes publik, të cilat nuk kanë lidhje me spektaklet, marrëdhëniet me publikun apo politikën. Ndaj, këto programe ndihmojnë në mënyrë indirekte në fuqizimin e komuniteteve të ndryshme, në rastin e punës së Amforës – komunitetet rurale, të rinjtë, të moshuarit, vajzat dhe gratë, kanë pasuruar raportimin mediatik nga perspektiva të ndryshme. Gjithashtu, fleksibiliteti i programit – që do të thotë sigurimi i një lloj mbështetjeje që është vërtet e nevojshme – është me rëndësi të madhe për mediat si Amfora, të cilat ofrojnë raportime të thelluara dhe tematike, ku është shumë e nevojshme të adaptohemi sipas çështjeve të papritura dhe të kemi mbështetje teknike për realizimin e raportimeve të thelluara dhe profesionale.
Granti nga Western Balkans Media for Change ndjek traditën e kombinimit të mbështetjes financiare, teknike dhe mentorimit, një trinom shumë efiçent për të arritur rezultate të larta. Procesi i mentorimit përgjatë zbatimit të grantit lehtëson punën administrative dhe gazetareske, duke ndihmuar në publikimin e historive cilësore. Ky grant ka shërbyer për të përmirësuar më tej edhe kapacitetet teknike të Amforës dhe të pajisjeve të regjistirmit me video, që na ndihmon ne të krijojmë një përvojë edhe më të mirë për audiencën tonë. Falë kësaj mbështetjeje, Amfora shkel në ‘një territor’ të ri, të cilin e ka synuar prej shumë kohësh. Raportimi për komunitetet rurale shpesh herë përbën sfida edhe për mediat dhe gazetarët. Kostot e larta, terrenet e vështira, komunitetet në zonat e thella, interesi për audiencën kombëtare, janë faktorë që ndikojnë në uljen e raportimit nga mediat tradicionale për komunitetet lokale në Shqipëri.
Nisma e re e Amforës përqendrohet tek urat, të cilat nuk janë vetëm ndërtime inxhinierike për të lidhur brigjet e një lumi, por janë edhe mjete që lehtësojnë komunikimin. Për ne, urat janë kanale që lehtësojnë proceset e shkëmbimit të mallrave, të informacionit dhe që ndihmojnë komunitetet që të zhvillohen. Përmes këtij raportimi ne zgjeruam territorin për të cilin raportojmë, duke përfshirë rajone të largëta kryesisht në jug dhe juglindje të vendit. Gjithashtu ne po zhvillojmë një qasje më të thelluar të raportimit me video, duke sjellë historitë e komuniteteve lokale përmes teknikave të video-dokumentarit.
Projekti ynë quhet “Urat që trashëgohen” (“The bridges we inherit”) sepse ato i shërbejnë brezave shekull pas shekulli dhe kthehen në “monumente të gjalla”, të cilat ruajnë kujtime dhe gjurmë të kalimtarëve që i kanë përshkuar. Urat me statusin “Monument Kulture” përfaqësojnë vlera të jashtëzakonshme historike, arkitektonike dhe inxhinierike, duke shërbyer edhe si potenciale turistike, që mbi të gjitha janë pjesë e krenarisë së vendasve.
Urat historike vijojnë të përdoren në rajone të ndryshme të Shqipërisë dhe ato i shërbejnë banorëve të moshuar që vijojnë të banojnë të vetëm në fshatrat e largëta të vendit, të cilët kryejnë punët bujqësore dhe blegtorale. Gjithashtu fëmijët që shkojnë në shkolla në fshatrat e tjerë kalojnë çdo ditë përgjatë dimrit mbi këto ura. Gratë janë ato që shpesh herë i shoqërojnë fëmijët në shkolla, por edhe për shkak të organizimit të jetës rurale, ato realizojnë punë të ndryshme të familjes përmes përdorimit të këtyre urave. Ne synojmë që së pari t’i japim zë banorëve të zonave rurale, të cilët janë të tronditur shpirtërisht pas shembjes së këtyre urave dhe janë bllokuar në përditshmërinë e tyre sepse ato i lehtësonin shumë në punët e tyre.
Shumë nga urat që janë monumente kulture janë shkatërruar për shkak të kushteve atmosferike, kështu që Amfora është gjithashtu e angazhuar në hetimin e rolit të autoriteteve, angazhimit të tyre për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e këtyre ndërtimeve historike, duke shpjeguar rolin, përgjegjësitë dhe nivelin e përmbushjes së detyrimeve të tyre ligjore.
Geri Emiri, kryeredaktor, Amfora.al