Në një mjedis të polarizuar mediatik, ku shpeshherë mediat janë komercializuar dhe të shkëputura nga interesi publik, nevoja për një platformë mediatike alternative që u jep zë grupeve të margjinalizuara dhe kauzave të drejtuara nga qytetarët, pa ndikime partiake, bëhet jetike. Megjithatë, mbijetesa si një media alternative në një mjedis të tillë është e vështirë pa programe mbështetëse të pavarura.
Programe si “Western Balkans Media for Change” janë shumë të rëndësishme, pasi ofrojnë mbështetje për zhvillimin e medias së pavarur, ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gazetarisë dhe, si pasojë, fuqizojnë zërat e komuniteteve lokale. Këto programe janë thelbësore për diversifikimin e peizazhit mediatik.
“Western Balkans Media for Change” ofron mundësi për të forcuar kapacitetet e redaksisë, duke mundësuar përparime në profesionalizëm, inovacion dhe cilësi të raportimit. Një vlerë e shtuar është lidhja me kolegët në rajon. Aktualisht, po bashkëpunojmë për një artikull ndërkufitar mbi lumin Drin – duke shkëmbyer përvoja, duke mësuar nga më të mirët dhe duke kontribuar në ndërgjegjësimin për çështje thelbësore përtej kufijve kombëtarë.
Me mbështetjen e Programit duke përfshirë mjetin e “Raportimit të Qytetarëve të Angazhuar”, përmes pyetësorëve online, Citizens.al ka arritur në komunitete që më parë nuk i kishte mundësuar. Ndër të tjera, kemi arritur të angazhojmë të moshuarit, punëtorët e huaj në Shqipëri, individë që kanë qenë viktima të ngacmimeve seksuale në vendin e punës, të rinj në kërkim të strehimit në qytetet kryesore, qytetarë të shqetësuar për çështje ekonomike dhe mjedisore. Po ashtu, kemi forcuar raportimin tonë për grupet e margjinalizuara si personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome dhe egjiptiane, si dhe komunitetin LGBTI+. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në sondazhet tona online, duke na besuar historitë e tyre personale mbi temat që kemi trajtuar. Si rezultat, kemi pasur mundësinë të komunikojmë dhe të reflektojmë mbi realitetet e qytetarëve nga i gjithë vendi – jo vetëm si zë për kryeqytetin, por për të gjithë Shqipërinë.
Për më tepër, mentorimi dhe bashkëpunimi me partnerët zbatues të Programit ka qenë një vlerë e shtuar, duke na mundësuar të ndajmë përvoja dhe të marrim udhëzime për të përmirësuar punën tone. Një tjetër aspekt i rëndësishëm ka qenë vizualizimi inovativ i produkteve tona. Duke përmbledhur informacionin kryesor të artikujve në foto ilustrative dhe video shpjeguese, të dhënat dhe çështjet që trajtojmë janë sjellë më afër publikut.
Citizens.al është një media me mision. Jetojmë në një kohë të mbingarkuar nga propaganda, e lehtësuar nga zhvillimet e internetit. Peizazhi mediatik është i polarizuar, duke turbulluar kufijtë mes raportimit dhe aktivizmit. Besojmë se objektiviteti nuk duhet kuptuar si neutralitet, por si një veprim i vazhdueshëm drejt së vërtetës. Kur qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të luftuar racizmin, përjashtimin, pabarazinë, ne zgjedhim të shkojmë përtej me guxim dhe të jemi një zë i drejtë dhe i përgjegjshëm.
Jemi shumë krenarë që, përmes punës sonë, kemi ofruar një platformë mediatike për historitë e njerëzve të zakonshëm. Në një kohë kur besimi te media në vend është i ulët, ne kemi përjetuar të kundërtën, duke fituar besueshmëri dhe besnikëri mes audiencës sonë. Falë kësaj mbështetjeje, kemi krijuar dhjetëra artikuj dhe video që kanë arritur te rreth 500,000 qytetarë.
Po ashtu, me këtë mbështetje, Citizens.al ka zhvilluar modele të reja angazhimi. Tani kemi një buletin mujor, një grup të mbyllur në Facebook të quajtur Me Qytetarët dhe një grup në Instagram – duke krijuar një audiencë të angazhuar.
Përtej artikujve, një tjetër risi në projektin tonë është krijimi i një gazete për të moshuarit, në format të printuar—duke rikthyer ndjesinë e gazetave të shumë viteve më parë, por me përmbajtje të ndryshme. Fokusi është edukimi mediatik. Si përdorues të mediave sociale, të moshuarit shpesh bien pre e lajmeve të rreme, dezinformimit apo edhe mbiinformimit. Përmes kësaj nisme të quajtur “Kafe dhe Gazetë”, ne jo vetëm që ofrojmë kafe, por gjithashtu i pajisim të moshuarit—të cilët frekuentojnë kafene, parqe publike ose hapësira të përbashkëta – me informacione se si të mbrojnë veten nga dezinformimi dhe mashtrimet online.
Shpërndarjen e kësaj gazete e kemi nisur në fund të dhjetorit, duke prezantuar të moshuarit jo vetëm me metodat për të mbrojtur veten, por edhe me punën tonë si një media alternative, e pavarur dhe me mision.
Redaksia e Citizens.al