I realizuar në partneritet me institucionet arsimore përkatëse të secilit vend, programi ka për qëllim të pajisë nxënësit e moshës 10 -15 vjeç me aftësi të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve. Krahas mësimit të aftësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve, fëmijët do të mësojnë aftësi praktike të programimit dhe do të kenë mundësi t’i praktikojnë aftësitë e tyre përmes informatikës fizike.

Si pjesë e programit, secilës shkollë në Ballkanin Perëndimor do t’i sigurohet një numër pajisjesh mikrobit - kompjuter në madhësinë e një xhepi ku fëmijët mund të programojnë dhe t’i përdorin në lëndë të ndryshme për të zgjidhur probleme të përditshme. Pajisja u mundëson nxënësve të mësojnë në mënyrë argëtuese, interaktive dhe inovative.

Për të qenë konkurrues në tregun global të punës, aftësitë si zgjidhja e problemeve, mendimi kritik, njohuritë dixhitale dhe kreativiteti janë të rëndësishme për të arritur sukses.

“Sapo e morën mikrobitin në duar, me imagjinatën e tyre të pandalur, ata filluan të bëjnë pyetje: “po nëse e përdorim këtë?”, “çfarë ndodh nëse e lidhim mikrobitin me këtë?”. Kjo është pjesa më me rëndësi, të mësosh të zgjidhësh probleme të pazakonshme. Fëmijët po bëhen kreativë dhe për mendimin tim kjo është shumë e rëndësishme”. 

Si nisi programi – Histori për shkollat më të guximshme

Projekti pilot 'Shkollat e Shekullit 21' u zbatua në bashkëpunim me fondacionin për arsim mikrobit të BBC-së gjatë vitit 2017 dhe 2018, duke përfshirë 135 shkolla dhe 26000 nxënës në Ballkanin Perëndimor. 

Gjatë projektit pilot, 1180 mësues u trajnuan për të aplikuar aftësi të reja përmes pajisjes mikrobit. Të gjithë morën pjesë në trajnimin informues pesë-ditor për mënyrën e prezantimit të tre aftësive kryesore (mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit përmes përdorimit të mikrobitit) në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. 17 trajnerë kombëtarë të aftësive kryesore të trajnuar nga ekspertë të brendshëm të zyrave të Këshillit Britanik dhe stafi i fondacionit për arsim mikrobit ofruan mbështetjen e tyre. 

Studimi nga kompania "IPSOS Strategic Marketing"

Në vitin 2018, studimi iu ngarkua kompanisë  "IPSOS Strategic Marketing",  si pjesë e projektit 'Shkollat e Shekullit 21' të Këshillit Britanik në Ballkanin Perëndimor. Raporti tregoi se:

  •  86% e mësuesve besojnë se mikrobiti është i dobishëm për mësimin e kurrikulës
  • 90% e mësuesve besojnë se mikrobiti do të frymëzojë nxënësit rreth informatikës dhe kodimit  jashtë klasës
  • 93% e mësuesve mendojnë se mikrobiti do të ishte frymëzues për nxënësit në klasë
  • 100% e mësuesve mendojnë se është mjet i dobishëm për mësim.

Po ashtu sipas raportit, mësuesit besojnë se aktivitetet me pajisjet mikrobit kanë përmirësuar socializimin e fëmijëve me njëri-tjetrin, si dhe kanë “shtuar shkëmbimin e njohurive ndërmjet tyre” dhe “përmirësuar bashkëpunimin dhe komunikimin e ndërsjelltë me mësuesit e tjerë”. Mësuesit ishin të kënaqur të shihnin se si nxënësit që zakonisht nuk shprehin interesim dhe nuk përfshihen në aktivitete në klasë, ishin të parët që u angazhuan me mikrobitin. U tha se disa nxënës shfaqën “potenciale krejtësisht të reja, duke dëshmuar se gjithçka u duhej ishte një qasje ndryshe". 

Rezultatet e projektit pilot çuan në një program shumë më të gjerë se 'Shkollat e Shekullit 21', i cili gjatë tre viteve do t’ju ofrojë një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç në Ballkanin Perëndimor aftësitë që u duhen për një të ardhme të ndritshme.

Shpërndani në rrjetet sociale