Engagement-of-vulnerable-children_21st-Century-Schools_1

Gjatë programit rajonal trevjeçar 'Shkollat e Shekullit 21', zbatuar nga British Council, pothuajse një milion nxënës të grupmoshës 10-15 në Ballkanin Perëndimor kanë përvetësuar dhe përmirësuar aftësitë e tyre të të menduarit kritik, të zgjidhjes së problemeve dhe të kodimit, me ndihmën e më shumë se 18,000 mësuesve dhe 4000 drejtorëve të trajnuar

Në kuadër të përmirësimit të njohurive digjitale dhe të përgatitjes për profesionet e së ardhmes, mbi 100,000 pajisje mikrobit iu dhuruan shkollave në mbarë Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e aftësive dhe teknikave të reja në orët mësimore. Duke pasur parasysh se teknikat dhe aftësitë e të menduarit kritik dhe të zgjidhjes së problemeve mund të përdoren në çdo lëndë mësimore dhe jo vetëm në orët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ashtu si edhe pajisjet e dhuruara, janë krijuar mbi 2,000 Klube Kodimi në pothuajse gjysmën e shkollave të mbuluara nga ky program. Në këto klube, nxënësit nxiten të konceptojnë projekte krijuese dhe novatore duke përdorur pajisje Micro:bit, dhe rreth gjysma e nxënësve në këto klube janë vajza

Të frymëzuar nga komentet pozitive që tregojnë efekte pozitive të programit te fëmijët nga grupe të larmishme, British Council zhvilloi një studim lidhur me ndikimin e programit në mbarë rajonin. 

Studimi tregoi se veçoria e gjithëpërfshirjes së programit trevjeçar 'Shkollat e Shekullit 21' ka kontribuar për përmirësimin e ndjeshëm të aftësive analitike, të të menduarit kritik dhe të kodimit te fëmijët e cenueshëm, dhe veçanërisht te vajzat që vijnë nga familje të disavantazhuara socio-ekonomike, pa aftësi të mëparshme në përdorimin e teknologjive digjitale.

Programi ka kontribuar për rritjen e motivimit për arsimim dhe ndjekjen e shkollës, veçanërisht te fëmijët me vështirësi më të theksuara të të nxënit dhe fëmijët nga komunitetet shumë të privuara, motivimi i të cilëve më parë ishte i cenuar nga ndjenjat e përjashtimit, pasigurisë dhe pabarazisë.

'Fëmijët zhvilluan ndjeshmërinë sociale dhe empatinë për bashkëmoshatarët e tyre me aftësi të kufizuara gjatë projekteve të përbashkëta, të cilat ndikuan edhe në pjesëmarrjen e tyre në mëtejshme në nisma që mbështetin bashkëmoshatarët e tyre të cenueshëm. Përvetësimi i aftësive të reja dhe përjetimi i një ndjenje të fortë progresi dhe suksesi sollën më shumë motivim te fëmijët për të nxënit, si dhe forcuan vetëvlerësimin e tyre'.

Engagement-of-vulnerable-children

Gjithashtu, mësuesit që përfunduan programin theksuan se përdorimi i teknologjisë mikrobit në lëndë të ndryshme përmirësoi të nxënit dhe aftësitë e fëmijëve për të kuptuar lidhjet ndërmjet lëndëve të ndryshme. Mësuesit raportuan se këto metoda të reja të të nxënit dhe teknikat arsimore më ndërvepruese kanë kontribuar për të rritur angazhimin e nxënësve në orët mësimore dhe për një qasje më proaktive të të nxënit, ndërkohë që njëkohësisht i ka ndihmuar mësuesit në arritjen e objektivave të tyre të mësimdhënies.

Përveç prezantimit të rezultateve inkurajuese rreth efekteve pozitive te fëmijët e cenueshëm, raporti mbi ndikimin e programit te fëmijët e cenueshëm përfshin edhe rekomandime për përmirësimin e kurrikulës, për veprimtaritë e nxënësve dhe mësuesve, ashtu si edhe për mjedisin e të nxënit. 

Një nga rekomandimet më të rëndësishme të theksuara ka të bëjë me rëndësinë e futjes sistemike të pajisjeve Micro:bit në kurrikulën e zakonshme, me kushtin që kjo metodë pune të mundësojë dhe të nxisë punën në grup dhe lidhjet ndërkurrikulare, duke ndihmuar njëkohësisht mësuesit për të arritur objektivat e tyre mësimore me të gjithë nxënësit. 

Një fushë tjetër shumë e rëndësishme që duhet të zhvillohet më tepër është ofrimi i mbështetjes së bashkëmoshatarëve për sa i përket të nxënit, sepse fëmijët priren të përfitojnë më tepër kur punojnë me dikë më afër moshës dhe interesave të tyre, në mënyrë që të vazhdojnë të jenë të interesuar në procesin arsimor dhe të përmirësojnë integrimin e tyre në shkollë.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës së TIK-ut në shkolla, po aq i rëndësishëm do të jetë edhe trajnimi i më shumë mësuesve, ose projektimi i instrumenteve që iu mundësojnë mësuesve të trajnuar të transferojnë relativisht thjesht, sistematikisht dhe efektivisht njohuritë e tyre të kodimit mikrobit te mësuesit e tjerë të shkollës.

Për të përmirësuar zbatimin e teknikave të reja me fëmijët e cenueshëm, veçanërisht ata me vështirësi të të nxënit, është e rëndësishme të përfshini të paktën një modul trajnimi mbi mënyrën e zbatimit të këtyre teknikave gjatë punës me këta fëmijë, si të trajtoni sfidat në zbatimin e këtyre teknikave, si t’i angazhoni ata në kodim e të tjera të ngjashme.

Një tjetër përfundim i nënvizuar lidhet me nevojën për më shumë mbështetje për vajzat në promovimin e interesit dhe pjesëmarrjes së tyre në edukimin STEM. 

Raporti mund të shkarkohet këtu, ashtu si edhe një përmbledhje e raportit.

Shpërndani në rrjetet sociale