Urime për tri ekipet fituese që kanë fituar çmimin e parë të përbashkët në Garën e gazetarëve të rinj në kuadër të projektit Media for All. Pjesëmarrësit kanë punuar në ekipe rajonale me nga tre persona dhe janë mentoruar dhe kanë marrë udhëzime profesionale për tetë javë për të zhvilluar storiet e tyre që reflektojnë çështje relevante për të rinjtë në ditët e sotme.
Cilësia e punimeve nga gazetarët nën 30 vjeç, që punuan në ekipe në bashkëpunim me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në Garën e gazetarëve të rinj të programit Media for All, ishte aq e lartë sa që paneli vlerësues e ndau çmimin e parë për tri ekipe:
- Katarina Baletic dhe Nevena Petakovic nga Serbia dhe Teodor Gjerga nga Shqipëria u vlerësuan për storien e tyre Vështirësitë financiare vonojnë pavarësimin e të rinjve nga prindërit.
- Gentiana Ahmeti nga Kosova, Jona Koso dhe Xhoana Callaku nga Shqipëria u shpërblyen për storien “Lufta” për një vend pune dërgon infermierët në Gjermani.
- Të rinjtë zgjedhin alternativa të kushtueshme për të ruajtur shëndetin mendor, shkruar nga Erisa Kryeziu nga Shqipëria, An Djurdja Radulovic dhe Andrea Jelic nga Mali i Zi.
Erisa Kryeziu, pjesëtare e njërit prej ekipeve fituese, tha: “Bashkë me kolegët e mi nga Mali i Zi, kemi punuar për një storie për shëndetin mendor të rinjve. Ishte momenti i duhur për ta trajtuar këtë temë, marrë parasysh përhapjen e pandemisë Covid-19. Mendoj se gjenerata e re e gazetarëve të rinj në rajon është shumë profesionale në punën e tyre. Por, ne duhet ende të mbulojmë tema që lidhen me të rinjtë për të mbështetur dinamikat e shoqërisë së sotme, sidomos në Ballkanin Perëndimor”.
Gara ishte e hapur për ekipe të gazetarëve nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia) dhe dymbëdhjetë ekipe me nga tre gazetarë u ftuan të marrin pjesë. Kandidatët e suksesshëm kaluan tetë javë duke punuar me një mentor për të zhvilluar dhe realizuar storien e tyre, e cila duhet të ishte relevante për të rinjtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Temat e mbuluara përfshinin ndikimin e Covid-19, papunësinë e të rinjve, rritjen e nacionalizmit tek të rinjtë, politikat për të rinjtë, diskriminimin ndaj personave LGBTI+. Kishte edhe storie që theksuan se si të rinjtë kanë mbështetur komunitetet e tyre gjatë pandemisë dhe një artikull për personat me aftësi të kufizuara që kanë arritur të tejkalojnë diskriminimin dhe të punësohen.
“Juria ishte jashtëzakonisht e kënaqur me cilësinë e lartë të artikujve të dorëzuar dhe i inkurajon gazetarët të ndjekin publikimin për të gjithë artikujt e tyre. Më e rëndësishmja është se artikujt paraqesin punën bashkëpunuese në mes vendeve të rajonit ku bashkëpunimi në gazetari mund të jetë gjithmonë më i madh dhe artikujt e dorëzuar janë një shembull për këtë”, tha Una Hajdari. Ajo tha se paneli vlerësues vlerësoi storiet bazuar në nivelin e reflektimit të standardeve profesionale të gazetarisë, rrëfimit të mirë, origjinalitetit dhe relevancës së idesë.
Tre artikujt fitues mund t’i lexoni këtu: