Tiranë, 8 Qershor, shkolla ’’Marie Kaçulini’’ fitoi vendin e parë në Sfidën e katërt të Kodimit duke krijuar projektin e quajtur ’’Smart City’’. Konkursi u organizua nga Këshilli Britanik me synimin për të frymëzuar fëmijët për të zgjidhur problemet që ata njohin në mjedisin e tyre duke përdorur pajisjet mikrobit. Shkolla ’’Met Hasa’’ fitoi vendin e dytë kurse shkolla ’’Gur i Zi’’ nga Elbasani fitoi vendin e tretë.
Konkursi u organizua si pjesë e programit "Shkollat e Shekullit 21", i cili zbatohet në Shqipëri nga Këshilli Britanik në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Këshilli Britanik është jashtëzakonisht i shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në konkurs gjatë pandemisë, kështu që konkursi u zhvillua në internet për herë të dytë këtë vit. Shkollat prezantuan projektet e tyre në formatin dixhital, ku juria përzgjodhi 10 projektet më të mira për tu prezantuar në finalen e eventit ’live’. Nxënësit e shkollës fillore treguan edhe një herë se sa lehtë përshtaten dhe sa mirë i menaxhojnë teknologjitë dixhitale.
Projekti fitues i vendit të parë i quajtur ’’Smart City’’ u krijua nga nxënësit Amelia Lloshi dhe Roan Garipi nën mentorimin e mësueses Etleva Çelmeta. Projekti synon të ndihmojë funksionimin sa më të mirë të institucioneve përkatëse në qytetin e Durrësit, për të gjithë banorët por sidomos për ata me aftësi ndryshe. Fituesit, thanë se ishin jashtëzakonisht të lumtur për fitoren dhe se shpresojnë që projekti i tyre të ndihmojë shkollën e tyre, por edhe komunitetin e gjerë në zgjidhjen e problemeve reale.
Projekti fitues i vendit të dytë i quajtur ''Ilaçet e Gjyshes'' u krijua nga nxënësit Ergi Çarçani dhe Armisa Prebibaj nën mentorimin e mësueses Brunilda Çelbeqiri. Qëllimi i këtij projekti ishte përdorimi i njohurive të programimit për t'u ardhur në ndihmë njërëzve të dashur. Fëmijët kishin vënë re se gjyshërit e tyre shpesh herë harronin të merrnin mjekimet në orarin e duhur dhe kjo u krijonte atyre probleme. Këtu nisi dhe idea për projektin i cili rezultoi një nga më të pëlqyerit e jurisë.
Projekti fitues i vendit të tretë, ''Ushqimi i Shëndetshëm - Përmirësimi i shprehive të të ngrënit'' u krijua nga Rigelsa Pema dhe Eda Hyka nën mentorimin e mësueses Silvana Kolçi. Synimi i projektit është ndërgjegjësimi i nxënësve dhe komunitetit të gjerë mbi ndikimin e regjimit ushqimor në shëndetin fizik duke përmirësuar shprehitë e të ngrënit në alternim me aktivitetin fizik.