Motivimi kryesor për të marrë pjesë në projektin Media for All ishte mundësia për trajnime dhe punëtori.
Në Vidi Vaka, ne priremi të vendosim fokusin e tregimeve tona në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet specifike në të cilat po punojmë. Kryesisht, ne punojmë në storie të cilat nuk janë të përfaqësuara në shumicën e mediave dhe duam që në të ardhmen t’i japim prioritet gjetjes së zgjidhjeve për problemet në këto storie. Prandaj, trajnimi ishte shumë i rëndësishëm për mua – më ndihmoi të kuptoj se si të bëj më shumë përpjekje për të gjetur modelin e përsosur për një zgjidhje, d.m.th. se fundi nuk është thjesht të japësh një ide për një zgjidhje, por një punë më të thelluar në thelb, për të identifikuar problemin, burimin e tij, për të kuptuar nëse mund të arrihet një ndryshim, për të identifikuar pengesat e mundshme dhe për të ofruar një zgjidhje konkrete. Trajnimi më ofroi teknika të reja intervistimi që mund t’i përdor me bashkëbiseduesit e mi dhe më mësoi se si t’i zgjedh bashkëbiseduesit e mi. Kur bëhet fjalë për problemet globale botërore, për mendimin tim, është shumë e rëndësishme të njihemi me përvojën e kolegëve të vendeve të tjera, në mënyrë që të përmirësojmë raportimin gazetaresk dhe të ndajmë përvoja të ndryshme. Gjithmonë ka vend për të shtuar në storiet tona, në mënyrë që të kontribuojmë në mënyrë aktive në gjetjen e zgjidhjeve për problemet sistemike, veçanërisht në një shoqëri si kjo e jona.
Punëtoritë më ndihmuan në punën time në kuptimin që tani mendoj më shumë se kë duhet të përfshij në storiet e mia, d.m.th. kë duhet të pyes që të kërkoj përgjigje për tema të caktuara dhe nëse ka përfaqësim të barabartë gjinor, sepse më parë nuk e kisha marrë atë segment shumë në konsideratë. Prandaj, ne si gazetarë mund të kemi një pasqyrë se në sa pozita kyçe dhe në sa institucione janë të përfaqësuara gratë.
Punëtoria për dezinformimin gjinor më mësoi se dezinformimi bazohet në informacione të rreme ose mashtruese të bazuara në gjini kundër grave, me qëllim diskreditimin e grave dhe vajzave. Shpesh, audienca nuk i vëren dezinformatat dhe nuk mund t’i njohë kur serviren në masmedia, dhe ato bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Prandaj, mediat duhet të punojnë më shumë për të njohur dezinformimin gjinor, si dhe për të punuar drejt zhdukjes së tij nëse duam një shoqëri të barabartë.
Këto lloj programesh janë të rëndësishme për profesionistët e rinj – jo vetëm për pjesën financiare, por edhe për të fituar aftësi dhe përvoja të reja dhe të ndryshme. Për më tepër, këto programe studimore dhe punëtori ofrojnë një mënyrë të shpejtë për krijimin e një rrjeti të gazetarëve të rinj profesionistë nga Ballkani, i cili kontribuon në fitimin e përvojave të reja dhe njohurive për perceptimet e njerëzve të tjerë.