Unë kam dëgjuar për projektin Media for All dy vite më herët kur TV Mitrovica u bë pjesë e këtij programi.. Kur u njoftova për mundësitë që ofron atëherë besova se do të jetë një gjë e mirë për mua personalisht dhe për mediumin ku punoj. Në TV Mitrovica unë unë jam koordinatore e programit Engaged Citizens Reporting dhe mendoj që kjo është ndër eksperiencat më të mira që kam pasur gjatë punës time disa vjeçare në media.
Unë kam ndjekur shumë trajnime që ofroi programi përgjatë këtyre dy viteve, dhe kjo besoj se është mbështetja më e madhe për mua. Kam mësuar shumë dhe vazhdoj edhe më tutje të mësoj qoftë edhe në kurse online që ofron programit. Jam përpjekur që mos ta lëshoj asnjë mundësi dhe as një aktivitet që është ofruar në kuadër të programit sepse e kam parë si diçka shumë të vlefshme për zhvillimin tim personal dhe profesional.
Unë isha edhe pjesë e programit të mentorimit. Nuk kisha dëgjuar më parë për një mundësi të tillë.Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua për çka i jam shumë mirënjohës programit Media for All. Besoj se ështe diçka shumë e nevojshme, përfitova shumë nga ky program.
Nga trajnimet e shumta që pata, u bëra shumë më shumë e ndërgjegjshme për çështjet gjinore, për diskriminimin, për dezinformimin, për rëndësinë e prodhimit të përmbajtjes multimediale, për rëndësinë e hulumtimit dhe kontrollimit të fakteve, për gjithpërfshirjen në raportim, për çshtjet etike, për sigurinë e gazetarëve/eve e shumë shumë të tjera.
Personalisht unë përfitova shumë, u hapën mundësi të reja, u njoftova me shumë ekspertë/e, profesionist të fushave të ndryshme, me gra dhe vajza të mediave në Kosovë dhe rajon, patëm takime, diskutime, folëm për mundësinë e rrjetizimit, kam filluar të përfshihem në bashkëpunime rajonale, në storiet ndërkufitare, dhe të gjitha këto erdhën falë programit Media for All.
Ndërsa për mediumin, mendoj që përfitimi më i madh është trajnimi i stafit, dhe ne e patëm këtë mbështetje nga programi Media for All. Besoj se kjo ishte një benefit shumë i madh nisur nga fakti që sa më profesional të jenë gazetarët e një mediumi aq më i mirë do të jetë prodhimi gazetaresk, rrjedhimisht edhe besimi i publikut në vet median do të rritet.
Në anën tjetër përdorimi i ECR tool ishte një tjetër përparësi në këtë program, gjë të cilën nuk e kishim praktikuar më parë. Kjo jo vetëm e rriti angazhimin e qyetarëve me Televizionin, por i bëri edhe raportimet më të mira. Qytetarët filluan të ndanin me ne shqetësimet që ata kishin në komunitetet ku jetojnë, qoftë për mbeturinat, për mjedisin, për ekonominë e çështje të tjera me të cilat përballën në jetën e tyre çdo ditë e për të cilat kërkojnë zgjidhje. ECR u dha mundësinë qytetarëve të Mitrovicës që të bëhen pjesë e raportimit.
Personalisht mendoj që përveç trajnimeve, aspekti më shpërblyes i këtij programi ishte mentorimi. Unë ndjehem shumë me fat që e pata këtë mundësi.