Situata në skenën tonë mediatike është e tillë që pikat e medieve, kryesisht mediet PËR të rinjtë të krijuara nga të rinjtë, janë pothuajse të padukshme, ekonomikisht të paqëndrueshme dhe mbijetojnë vetëm falë vullnetit të jashtëzakonshëm të individëve të përgatitur të japin nga vetja e tyre përtej kapacitetit të tyre, duke besuar se mund të bëjnë një ndryshim pozitiv. Programet mbështetëse që synojnë mediet e tilla janë të rralla dhe shpesh të dizajnuara që të mos dëgjojnë redaksitë e të rinjve dhe nevojat e tyre reale, por në vend të kësaj janë të krijuara nga ekspertë të medieve bazuar në besimet dhe konceptimet e tyre për atë se si duhet të duken mediet për të rinjtë. Situata e medieve po ndryshon në vazhdimësi dhe trendet po ashtu, ndërsa programet e ofruara janë shpesh të vjetruara ose nuk i përgjigjen realitetit të një redaksie të vogël dhe kryesisht të bazuar në punë vullnetare, që është tipari kyç i shumicës së medieve për të rinjtë në Serbi.

Ekipi i Media for All ka DËGJUAR në vazhdimësi mediet, ka monitoruar nevojat dhe dëshirat e tyre, si dhe është përpjekur t’i mbështesë që të ndjekin drejtimin që kanë caktuar ato vetë. Ata nuk ndikojnë në politikën tonë editoriale, nuk imponojnë tema dhe përmbajtje, nuk prezantojnë “receta” të gatshme për diçka që DUHET BËRË, por ata thjesht pyesin - për çfarë keni nevojë dhe si mund t’ju ndihmojmë? Dhe kjo është e paçmuar.

Në këto vite të fundit që kur media jonë është bërë pjesë e këtij programi, kemi marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, të gjitha mjaft domethënëse për ne. Natyrisht që pjesa financiare është me rëndësi dhe pa mbështetje në formë të granteve të vogla nuk do të kishim mundur të arrinim shumë gjera, e as të blinim pajisjet e nevojshme për operimin tonë të përditshëm; por edhe më e rëndësishme është njohuria që kemi marrë, sikurse edhe mundësitë për rrjetëzim.

Kemi pasur mundësi të bashkëpunojmë përtej kufijve dhe të shkëmbejmë përvojat tona, kemi pasur mundësi të mësojmë në Londër nga ekspertë të jashtëzakonshëm e po ashtu edhe të punojmë me mentorë. Kjo ishte pjesa më e dobishme sepse të gjitha sesionet adresonin sfida specifike me të cilat përballet një redaksi specifike, si dhe zhvillimin e ideve dhe kapaciteteve tona. Të gjitha praktike, të gjitha me vlerë.

Për më shumë, pjesëmarrja në këtë program na mundësoi të eksplorojmë dhe të punojmë në tema që janë të rëndësishme dhe relevante për shoqërinë, gjë e cila, përsëri nuk është diçka që e shohim shpesh - të rinj që marrin një grant dhe që kanë lirinë të zgjedhin të adresojnë tema “të vështira” në kuadërtë aktiviteteve të tyre. Këto tema nuk janë të natyrës komerciale dhe nuk sjellin shumë klikime. Një aspekt me rëndësi i programit ishte mbështetja jo e kushtëzuar nga treguesit sasiorë, numri i pëlqimeve dhe ndarjeve në medie sociale dhe fokusi në cilësinë e përmbajtjes së krijuar. Programet që mbështesin cilësinë ndaj sasisë janë të rralla dhe kjo është vlera kryesore e programit Media for All (dhe Media for Youth).

Shpërndani në rrjetet sociale