Pse keni aplikuar për rolin e mentorueses në Programin e Mentorimit për Gratë në Media në Ballkanin Perëndimor?

Ka shumë arsye, por dy janë kryesore.

Së pari, punoj si producente në RTV PULS dhe kam marrë pjesë në realizimin e disa emisioneve që flasin për barazinë gjinore. Kuptova se ka specifika që kanë ndikim tek produksioni, por edhe tek teleshikuesit. Së pari, në territorin ku jetoj unë, shkalla e lindshmërisë është më e lartë se në zonat e tjera ku jetojnë serbët. Së dyti, vajzat martohen më të reja dhe bëhen nëna relativisht të reja në krahasim me mesataren. Së treti, statusi i gruas është diku mes tradicionales dhe modernes dhe roli i medias është pikërisht të ndihmojë në fuqizimin e grave dhe çlirimin e tyre nga shtrëngesat e vjetra ballkanike, të luftojnë që shoqëria të njohë kontributin e tyre si në shtëpi, ashtu edhe në punë dhe në publik dhe kështu më në fund të bëhen të barabarta, jo vetëm në letër, me burrat.

Nga ana tjetër kam mbaruar fakultetin juridik dhe gjithmonë më kanë interesuar “të drejtat e grave”, aplikimi dhe mbrojtja e tyre. 

A ka kontribuar puna me mentoren tuaj në zhvillimin tuaj personal dhe profesional?

Gjëja më e rëndësishme tek mentorja ime Masha është pikërisht se ajo gjeti një mënyrë për të kuptuar nevojat e mia në një mjedis specifik dhe të panjohur për të.

Pas kësaj, të gjitha këshillat dhe rekomandimet e saj ishin të rëndësishme dhe të dobishme sepse ishin konkrete, praktike dhe të zbatueshme.

Na përshkruani shkurtimisht suksesin tuaj në çiftin mentorues.

Tani lexoj shumë më tepër në internet për barazinë gjinore dhe në të gjitha lajmet, reportazhet, emisionet e RTV PULS insistoj në të ashtuquajturin këndin e grave dhe përfaqësimin adekuat të grave si bashkëbiseduese dhe heroina në storiet tona. Falë mbështetjes së menaxhmentit të kompanisë sonë, mendoj se jam në rrugën e duhur për të ngritur çështjen e barazisë gjinore si një nga prioritetet e produksionit tonë. 

A keni dalë me ide të reja, keni nisur aktivitete të reja, bashkëpunime dhe/ose projekte apo keni ndërmend t’i nisni ato, si rezultat i rrjetëzimit me njerëzit e mbledhur rreth programit tonë?

Siç thashë edhe më herët, me Mashën gjithçka është konkrete dhe praktike. Sapo kam filluar të punoj si autore për një storie fenomenale: “Gruaja në sytë e një gjinekologu”, për një mjek të shkëlqyer, i cili në vend që të kalonte ditët e pensionit duke shëtitur apo luajtur me nipërit e mbesa e tij, erdhi nga Leskovci tek ne në Pasjan për të ofruar shërbime gjinekologjike dhe obstetrike për pacientet si një mjek i shkëlqyer, por edhe për t’ua mësuar kolegëve të rinj atë punë, ose më mirë të themi, atë mision humanitar.

Po ashtu po e përgatis edhe një projekt pak më serioz të bazuar në hulumtimin në terren për pozitën, problemet dhe nevojat e serbëve në Anamoravën e Kosovës, respektivisht në rajonin e Gjilanit dhe shpresoj se do të marrim mbështetjen tuaj për zbatimin e tij, që për mua dhe për shtëpinë mediatike ku punoj do të kishte rëndësi dhe domethënie të madhe. 

A janë përmbushur pritshmëritë tuaja nga programi i mentorimit?

Në fillim as që dija çfarë të prisja, por tani, tani mund të them vetëm se vërtet nuk po i gjej fjalët e duhura për t’jua shprehur mirënjohjen time të madhe për ju dhe mentoren time Masha Mileusniq, të cilës i detyrohem shumë për të gjitha këshillat e saj praktike dhe të zbatueshme, për mbështetjen dhe ndarjen e përvojës së saj tejet të pasur gazetareske... Faleminderit edhe një herë për një eksperiencë të mrekullueshme, të cilën do t’ia rekomandoja kujtdo që dëshiron të avancojë si në zhvillimin profesional, ashtu edhe në atë personal. 

Shpërndani në rrjetet sociale