Kompjuterët mikrobit në klasë i kanë motivuar nxënësit, kanë zgjeruar njohuritë e tyre dhe të kuptuarit e lëndës dhe i kanë frymëzuar ata të angazhohen në një projekt me synim mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore
Nxënësit e shkollës ‘Ali Laçej’ nga Shkodra, një nga qytetet më të vjetra shqiptare me trashëgimi kulturore dhe historike shumë të pasur, përmes projektit të tyre ia kanë dalë të rrisin vetëdijen e komunitetit për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Gjithçka filloi kur pajisjet mikrobit, që përdoren për kodim në kuadër të programit ‘Shkollat e Shekullit 21’, arritën në klasat e shkollës. Këta kompjuterë të përmasave të xhepit jo vetëm që kanë zgjeruar njohuritë e nxënësve dhe të kuptuarit e lëndës nga ta, por kodimi në pajisjet mikrobit i ka motivuar nxënësit që ta zbatojnë një projekt me ndikim më të gjerë shoqëror.
Projekti i zbatuar nga kjo shkollë, përmes përdorimit të mikrobitit, kishte në fokus “Trashëgiminë kulturore”. Projekti kishte për qëllim promovimin e vlerave kulturore të qytetit dhe ngritjen e vetëdijes për mënyrën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së këtyre vlerave. Pajisjet mikrobit u përdorën për të shpërndarë mesazhe për ruajtjen e monumenteve kulturore. Rezultatet ishin pozitive dhe vetë projekti pati ndikim në komunitet, duke përfshirë shumë individë në këtë nismë të filluar nga nxënësit.
Me gjithë mungesën e laboratorëve dhe infrastrukturën e TIK-ut, mësuesit e kësaj shkolle vendosën ta përfshinin mikrobitin në secilën lëndë për ta lehtësuar ndërveprimin mes nxënësve dhe pjesëmarrjen e tyre aktive.
Programi ‘Shkollat e shekullit 21’ është program arsimor tre vjeçar, në vlerë 10 milion paund, i zbatuar nga Këshilli Britanik dhe i financuar nga qeveria e MB-së. Programi synon të zhvillojë aftësitë kryesore të shekullit 21 të mbi një milion nxënësve të moshës 10 deri 15 vjeç të shkollave fillore në vendet e Ballkanit Perëndimor.